Nga tablet në laptop: Si iPadOS 26 e transformon iPad-in

Apple na mahniti me iPadOS 26 në prezantimin e WWDC-së, duke sjellë një përditësim që jo vetëm shton veçori të reja, por transformon rrënjësisht përvojën e përdorimit të iPad-it. Nëse më parë iPad-i ndjehej si një pajisje ndërmjet tabletit dhe laptopit, tani ai i afrohet më shumë se kurrë një zëvendësuesi të vërtetë për MacBook-un.

Sistemi i ri i dritareve – Një hap i madh drejt produktivitetit

 

Kjo është padyshim risi kryesore e iPadOS 26. Apple solli sistemin e menaxhimit të dritareve nga macOS dhe e përshtati në mënyrë të përkryer për iPad-in. Ndjesia është ende e natyrshme për një tablet, por mundësitë janë shumë më të mëdha:

  • Butonat klasikë të “traffic light” nga macOS për menaxhimin e dritareve

  • Kontroll i plotë mbi madhësinë dhe vendosjen e dritareve

  • Tiling i avancuar për shumë aplikacione njëkohësisht

  • Deri në 12 dritare të hapura njëherësh

  • Mbështetje për ekrane të jashtme (vetëm për iPad-ët me çip M)

  • Një taskbar/menu bar i ri për qasje më të shpejtë në opsionet kryesore

  • Heqja e funksionit Slide Over dhe përmirësime në Split View

 

Ky sistem e bën iPad-in të ndihet më shumë si një kompjuter i vërtetë dhe më pak si një tablet i thjeshtë.

Aplikacioni Files – Më në fund serioz

 

Aplikacioni Files ka marrë përditësimin që meritonte prej vitesh. Tani është shumë më funksional dhe i ngjashëm me Finder-in në macOS:

  • Mundësia për të fiksuar dosje ose skedarë në Dock

  • Personalizimi i dosjeve me ngjyra dhe emoji

  • Menaxhim i shkarkimeve në sfond

  • Rregullim i kolonave sipas preferencës

  • Informacion më i detajuar për skedarët (“Get Info”)

 

Veçoria më e rëndësishme? Mundësia për të vendosur dosjen “iCloud Desktop” në Dock për akses të menjëhershëm në dokumentet më të rëndësishme – një risi që e afron iPad-in shumë më tepër me Mac-un.

Kontroll më i saktë i audios

 

Përdoruesit profesionistë do ta vlerësojnë këtë veçori. Tani, kur lidh një mikrofon të jashtëm – me kabëll ose pa tela – mund ta zgjedhësh manualisht si burimin kryesor të audios nga Control Center. Nuk ka më pasiguri nëse pajisja e njeh mikrofonin apo jo. Një përmirësim i domosdoshëm për krijuesit.

Kursori i ri – Saktësi dhe personalizim

 

Apple e ka përmirësuar kursorin në iPad duke e bërë më të ngjashëm me macOS, por ende unik për iPad. Ai është më i mprehtë, më i saktë dhe më i përshtatshëm për përdorim me trackpad dhe mouse. Mbeten në dispozicion edhe personalizimet:

  • Ndryshimi i ngjyrës dhe madhësisë

  • Trashësia e konturit

  • Shtimi i haptikëve në trackpad për ndjesi më të natyrshme

 

Përfundime: A është iPad-i më në fund një laptop?

 

Për shumë përdorues, iPad-i ka qenë gjithmonë një pajisje e fuqishme me softuer të kufizuar. Por me iPadOS 26, ky ndryshim është dramatik. Ky është versioni më i afërt ndonjëherë me idenë e një laptopi të vërtetë – me fuqi, fleksibilitet dhe një përvojë që ndjehet e qëllimshme dhe e mirëorganizuar.

Nëse e ke instaluar tashmë iPadOS 26, na trego përvojën tënde! Dhe nëse ende po pret për beta-n publike, beso – ia vlen çdo ditë pritjeje.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *